Kombetarja

VIDEO/ Mision i përmbushur, Shqipëria e para në grup dhe në Ligën B

Shqipëria nuk gabon në ndeshjen vendimtare të Ligës së Kombeve, duke përbushur misionin për ta mbyllur këtë kompeticion në vendin e parë dhe rrjedhimisht ngjitet në Ligën B të tij. Trajneri Edi Reja ia ka arritur qëllimit, skuadra e tij fitoi në “Air Albania Stadium” 3-2 ndaj Bjellorusisë, rivalit direkt. Kuqezinjtë kanë grumbulluar 11 pikë në 6 ndeshje dhe e kanë merituar plotësisht vendin e parë në grup.

Për herë të dytë Shqipëria triumfoi ndaj Bjellorusisë, duke i marrë 6 pikë rivalit kryesor, ndërsa Cikalleshi i ka shënuar 3 gola këtij kundërshtari, 1 në Minsk dhe 2 sot në Tiranë. Ishte sulmuesi kavajas që i hapi rrugën fitores së kuqezinjve, teksa gjuajti saktë me kokë pas 20 minutash lojë. Më pas ai dyfishoi me një penallti të fituar nga Manaj, i cili realizoi golin e tretë në fundin e pjesës së parë. Më parë bjellorusët kishin ngushtuar me Skavish.

https://streamable.com/8nkeus
Golat e ndeshjes. Gazeta Si, 18 nëntor 2020

Në pjesën e dytë trajenri Reja e tërhoqi disi skuadrën, në mbrojtje të rezultatit, ndërkohë që gradualisht ndërhyri me ndërrime, duke hedhur në fushë Balajn, Selahin dhe Uzunin. Ky i fundit pritej titullar, por ndryshe vendosi në fund trajneri italian për zgjedhje taktike, duke aktivizuar Memollën titullar. Situata u komplikua në 10 minutat e fundit, kur Bjellorusia shënoi golin e dytë dhe për kuqezinjtë pati momente paniku. Berisha u rrezikua në 2-3 momente, ndërsa Balaj dhe Uzuni kishin mundësi për golin e katërt.

Shqipëria feston fitoren ndaj Bjellorusisë. Gazeta Si, 18 nëntor 2020

Vërshëllima përfundimtare e rumunit Petresku e gjen Shqipërinë në vendin e parë, që ishte objektivi për trajnerin Reja. Ai e ka arritur tashmë dhe gjasat janë që ta vazhdojë aventurën në krye të kuqezinjve, aq më tepër që ka grumbulluar në këto ndeshje shumë futbollistë të rinj, disa nga të cilat kanë treguar vlera dhe janë të rëndësishëm për të ardhmen.

Në ndeshjen e sotme Shqipëria kishte mungesa me peshë, si Strakosha, Hysaj, Kumbulla, Abrashi, Dermaku, Trashi, Bare, Roshi, Broja, Vrioni e të tjerë, gati një skuadër e tërë, megjithatë ia doli të fitonte. Ngjitja në Ligën B do ta ndihmojë Shqipërinë për në kualifikueset e radhës. Vetëm një mrekulli do na jepte një biletë për në Botërorin e Katarit, pasi kalkulimet janë shumë të komplikuara. Vetëm dy nga vendet e para të Ligës së Kombeve mund të shkojnë në Botëror, por Shqipëria ka shumë skuadra përpara dhe duhet të shpresojë që ato të kualifikohen direkt nga eliminatoret e Botërorit.

Shqipëri-Bjellorusi 3-2
Shënues: Cikalleshi 20’, 27’ (penallti), Manaj 44’/ Skavish 35’, Ebong 80’
Shqipëria: Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Veseli, Doka, Memolla, Memushaj (Selahi), Gjasula, Laçi (Ramadani), Cikalleshi (Balaj), Manaj (Uzuni). Trajner: E. Reja
Bjellorusia: (4-4-2) Katekeviç, Juzesçuk, Poliakov, Saçivko, Bordaçev, Ebog, Maevski, Jablonski, Sataseviç, Lisakoviç, Skavish. Trajner: M. Markhel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë