Fitore minimale për Milanin në ndeshjen e javës së 10-të të Serisë A. Kuqezinjtë kanë mundur 1-0 Torinon në “San Siro”, falë një goli të shënuar nga Olivier Zhiru që në minutën e 14-të. Me këtë trepikësh, ata i shkëputen Napolit në krye të klasifikimit, duke u ngjitur në kuotën e 28 pikëve.
Ndeshja kishte pak raste për shënim. Ajo u zhbllokua nga sulmuesi francez i Milanit në zhvillimet e një goditjeje këndi. Zhiru u gjend i lirë në shtyllën e dytë dhe shtyu me lehtësi në rrjetë topin e devijuar më parë nga Kruniç. Në përgjithësi skuadra e Piolit e kontrolloi mirë ndeshjen, por shpëtoi nga goli i barazimit 5 minuta para fundit, pas një traverse rokamboleske të Praet.
Milani ka regjistruar sot fitoren e 9-të në 10 ndeshje të luajtura. Një start i jashtëzakonshëm kampionati, që nuk ndodhte që prej sezonit 1954-1955, kur kuqezinjtë drejtoheshin nga Bela Gutman. Një fillim premtues për titullin, edhe pse do të jetë e vështirë. Për momentin Milani shijon kreun, 2 pikë para Napolit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




