Futboll

Video/ Milani triumfon edhe në Bergamo, Atalanta e Gjimshitit paguan gabimet

Milani nuk i ndahet Napolit në kreun e tabelës së klasifikimit. Me fitoren në transfertë ndaj Atalantës, skuadra e Stefano Piolit mbetet sërish 2 pikë pas Napolit, që sot mundi edhe Fiorentinën, duke i bërë 7 fitore në 7 ndeshje.

Në ndeshjen mbyllëse të javës së 7-të të Serisë A, Milani ia ka dalë të triumfojë 2-3 në një fushë shumë të vështirë si ajo e Atalantës. Nisja e ndeshjes ishte shumë e mirë për kuqezinjtë, të cilët kaluan në avantazh pas vetëm 28 sekondash me Kalabrian, që mbante edhe shiritin e kapitenit.

“Dea” provoi të reagonte dhe të barazonte, por portieri Maignan u tha “jo” Zapatës dhe Xapakostës. Në fundin e pjesës së parë Freuler bëri një gabim të rëndë, Tonali i rrëmbeu topin dhe nuk fali përballë Musos, duke i dhënë goditjen e dytë Atalantës në një moment delikat.

Gjatë pjesës së dytë erdhi edhe goli i tretë për Milanin me autor Rafael Leaon. Fundi i ndeshjes për pak sa nuk solli surprizën. Zapata shkurtoi fillimisht me penallti, kurse në minutën e 4-t shtesë Pasaliç shënoi edhe golin e dytë për Atalantën. Nëse do të kishte ende minuta, situata do të komplikohej për Melanin, që ka dalë me 3 pikë nga një fushë shumë e fortë. Mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, luajti 90 minuta në këtë ndeshje dhe u vlerësua me notën 6.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë