Futboll

Video/ Milani i falet dyshes Diaz-Hernandez, i bashkohet Interit në krye

U desh të hynte në fushë Teo Hernandez që Milani të zgjidhte ndeshjen me Venecian dhe të merrte një fitore që e ngjit në kuotën e 13 pikëve. Me disa mungesa të rëndësishme, por edhe me ndonjë eksperiment të vogël nga trajneri Pioli në formacion, Milani vuajti për të gjetur golin. Tomori, Kesi dhe Hernandez e nisën nga stoli këtë ndeshje.

Milani humbi disa raste dhe rezultati u zhbllokua pas 68 minutash lojë, kur Brahim Diaz e dërgoi topin në rrjetë, pas një pasimi të Hernandez. Më pas vetë francezi do të dyfishonte me një diagonale të fuqishme, duke shuar kështu shpresat e Venecias për të marrë pikë në “San Siro”.

Me këtë fitore, Milani i bashkohet Interit në krye të Serisë A. Të dy ekipet kanë nga 13 pikë pas 5 javësh, por kushërinjtë zikaltër kanë golaverazh më të mirë dhe mbajnë vendin e parë. Deri tani, skuadra e Piolit ka bindur se mund të rivalizojë për titullin kampion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë