Futboll

Video/ Milani del huq në tentativën për kreun, Specia e Manajt e turpëron

Humbje e befasishme e Milanit në javën e 22-të të Serisë A, ku kuqezinjtë kishin mundësinë e artë për të marrë kreun e klasifikimit në rast fitoreje. Skuadra e Piolit ka dështuar në shtëpi ndaj Specias së Rei Manajt, është mundur 1-2 dhe ka mbetur sërish prapa Interit, që ka edhe një ndeshje më pak.

Leao, në një ditë shumë të mirë, ishte i papërmbajtshëm. Specia shpëtoi disa herë në pjesën e parë, falë portierit Provedel, i cili shkaktoi një faull në zonë ndaj Leaos dhe Milani fitoi një penallti, por Teo Hernandez gjuajti jashtë. Gjithsesi, Milani do të gjente golin në shtesën e pjesës së parë, kur Leao e dërgoi topin në rrjetë me një parabël.

Por në pjesën e dytë do të vinte përmbysja e madhe. Agudelo, i cili zuri vendin e Manajt, gjeti golin e barazimit në minutën e 64-t. Milani kishte kohë për të reaguar, megjithatë jo vetëm që nuk shënoi, por pësoi në minutën e 6-të shtesë golin e dytë nga Specia. Një humbje, që do të rëndojë shumë në kampin kuqezi.

Një episod interesant ndodhi para se Specia të shënonte golin e dytë. Mesias shënoi, ndërsa arbitri vërshëlleu për një goditje dënimi, duke mos lejuar avantazhin. Për këtë veprim ai kërkoi ndjesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë