Futboll

Video/ Mesi ‘tradhton’, Mbape jo. PSG feston me kryeveprën e francezit ndaj Realit

PSG investoi për të marrë Lionel Mesin, duke besuar se me argjentinasin e famshëm mund të fitojë Championsin, por protagonist për parisienët mbetet sërish ai, Kilian Mbape. Ishte ai njeriu i fitores për francezët ndaj atij që me shumë mundësi do të jetë ekipi i tij i ri në verë, Real i Madridit.

PSG-ja fitoi 1-0 aktin e parë, me golin e Kilian Mbape në minutën e 94-t. Kur kishte kaluar një orë lojë, Lionel Mesi humbi një penallti dhe nëse nuk do shënonte Mbape, kritikat për të do të ishin të shumta. Ish-ylli i Barcelonës u ndal nga portieri Tibo Kurtua.

“Alieni” Mbape bëri një kryevepër në shtesë, me një goditje vdekjeprurëse. Reali ka në dispozicion edhe ndeshjen e kthimit për të kërkuar kualifikimin, por kuptohet që për të besuarit e Ançelotit do të jetë mjaft e vështirë. Në Paris Reali bëri një paraqitje të dobët dhe nuk mundi të shënonte.

Për Mançester Sitin ishte një shëtitje në Portugali. Skuadra e Pep Guardiolës mundi 0-5 Sportingun e Lisbonës, duke siguruar që në këtë ndeshje kalimin në turin tjetër. Mahrez, Bernardo Silva dy herë, Foden dhe Sterling shënuan për anglezët, të cilët treguan diferencën e madhe që kanë me portugezët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë