Surpriza e madhe e ndeshjeve të dyta në grupe të Championsit është pa dyshim Sherifi i Tiraspolit, që sot ka tronditur Madridin, duke mundur Realin 1-2 brenda në “Bernabeu”. Moldavët që në turin e parë eliminator të Championsit u ndeshën me kampionët e Shqipërisë, Teutën, tashmë po bëjnë “namin” edhe në fazën e grupeve.
Sherifi kaloi në epërsi në pjesën e parë me golin e Jakshibaev, në të dytën barazoi Benzema dhe u duk se përmbysja e Realit ishte çështje minutash. Trajneri Ançeloti kreu katër zevendësime përnjëherësh, por në minutën e fundit moldavët goditën sërish me Thil. Sherifi udhëheq Grupin D me 6 pikë, Reali mbetet në kuotën e 3 pikëve, ndërkohë që pozitat e Interit me këto rezultate komplikohen ndjeshëm.
Në Grupin A, PSG ka fituar 2-0 sfidën me “kushërinjtë” e Mançester Sitit. Lionel Mesi ka shënuar golin e dytë në këtë ndeshje dhe të parin me fanellën e PSG-së me një të majtë potente. Argjentinasi ishte në dyshim për shkak dëmtimi, por e nisi ndeshjen titullar dhe la shenjën e tij. Me këtë fitore, PSG merr kreun e grupit bashkë me Bryzhin, që mundi Lajpcigun në Gjermani.
Milani ka pësuar humbjen e dytë në grup, këtë herë në fushën e tij, ku u ndëshkua në shtesë nga Atletiko Madrid. Ndeshja nisi mirë për skuadrën e Piolit, që kaloi në avantazh me Leaon, por Kesi u ndëshkua me karton të kuq (2 të verdhë) në minutën e 29-të dhe situata u bë e vështirë për Milanin. Kuqezinjtë rezistuan deri në minutën e 84-t, kur Grizamn barazoi rezultatin, ndërsa në shtesë spanjollët fituan një penallti, që Luis Suarez e ktheu në gol në minutën e 97-të. Luverpuli fitoi thellë, 1-5, në fushën e Portos.
Liga e Kampionëve, ndeshjet e sotme
Ajaks-Beshiktash 2-0
Shakhtar D.-Inter 0-0
Milan-Atletiko M. 1-2
Borusia D.-Sporting 1-0
Porto-Liverpul 1-5
PSG-Mançester Siti 2-0
Lajpcig-Bryzh 1-2
Real Madrid-Sherif Tiraspol 1-2
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




