Futboll

Video/ Më shumë VAR se futboll në “Loro Boriçi”, Teuta reziston me 10 vetë

Nuk ka fitues as në ndeshjen e tretë të javës së dytë të Abissnet Superiore. Edhe në Shkodër i njëjti rezultat, 1-1, që lë të kënaqur Teutën, jo vetëm se durrsakët luajtën në transfertë, por edhe sepse për një pjesë loje ata mbetën me 10 vetë.

Fjalën e parë në këtë sfidë rivalësh e ka pasur VAR-i, që ka përmbysur situatat disa herë. Në fundin e pjesës së parë, arbitri Kreshnik Bajramaj dha karton të verdhë për mbrojtësin Todorovski të Teutës, por pas konsultimit me VAR-in e bëri të kuq, duke i lënë durrsakët me 10 vetë për gjithë pjesën e dytë.

Pak minuta pas nisjes së kësaj pjese, Bajramaj akordoi një penallti në favor të Vllaznisë dhe pas 3 minutash “muhabet” në kufje, e anuloi për pozicion jashtë loje të një lojtari të Vllaznisë. Shkodranët gjetën golin e avantazhit me brazilianin Da Silva, i cili realizoi bukur me kokë, pas një krosi nga e majta të Latifit.

Teuta do të befasonte më pas me një gol të shënuar me kokë nga një pozicion i vështirë i sulmuesit Guembemba. Vllaznia kishte në dispozicion edhe 20 minuta lojë, por nuk mundi ta shfrytëzonte superioritetin numerik.

Në shtesë sërish VAR-i protagonist. Çoba shënoi për Vllazninë, por arbitrat e teknologjisë dalluan një pozicion jashtë loje, shumë i diskutueshëm, të sulmuesit shkodran, i cili festën e golit të paqenë e pagoi me një karton të verdhë.

Abissnet Superiore, java e 2-të
Sot

Skënderbeu-Partizani 1-1
Vllaznia-Teuta 1-1
Dje
Dinamo-Laçi 1-1
Nesër
Tirana-Egnatia
Kukësi-Kastrioti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë