Ka ndodhur

Video/ Masat anti-Covid në kufi, radhë kilometrike nga Kosova drejt Shqipërisë

Edhe këtë të martë, qindra automjete kanë vijuar të qëndrojë në radhë kilometrike për të hyrë në Shqipëri nga Kosova në pikën kufitare të Morinës.

Edhe pse atje po punohet me kapacitete të plota dhe procedura e verifikimit të dokumenteve anti-COVID është e shkurtër, sërish është e pamundur shmangia e radhëve në kufi, me qytetarët që kanë qëndruar në radhë për mbi dy orë për të kaluar kufirin.

Ndërkohë, sipas burimeve të Gazetasi.al, nuk ka pasur fluks dhe vonesa për të hyrë nga Shqipëria në Kosovë. Fluksi i automjeteve është shtuar edhe më shumë ditët e fundit, pasi nga e hëna ka nisur në Shqipëri zbatimi i masave të reja anti-Covid në pikat kufitare.

Të gjithë personat që duan të hyjnë në Shqipëri, duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte: të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë, të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve apo testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen në atdhe dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit. Këto masa të reja kanë shkaktuar radhë dhe vonesa në pikat e kalimit kufitar, veçanërisht në Morinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë