Futboll

Video/ Magjia e Salah nuk mjafton, barazim spektakolar mes Liverpulit dhe Sitit

Ka përfunduar në barazim, 2-2, sfida më e rëndësishme e javës së shtatë në Premier Ligë mes Liverpulit të Jurgen Klop dhe Mançester Sitit të Guardiolës.

Ishte një ndeshje spektakolare në “Anfield Road”, ku dy skuadrat kanë ndarë nga një pikë në fund, duke i dhënë mundësinë Çelsit të mbetet në krye i vetëm, 1 pikë para Liverpulit dhe 2 ndaj Sitit. Pas një pjesë të parë studimi të lojës së njëra-tjetrës, ku asnjë nga skuadrat nuk mori guximin të bënte diçka më shumë, në të dytën erdhën golat dhe emocionet.

Në minutën e 59-të Mane prishi ekuilibrim, duke kaluar “të kuqtë” në avantazh, por 10 minuta më pas Foden barazoi llogaritë. Skuadra e trajnerit Klop nuk u pajtua me rezultatin dhe Salah mori në duar situatën, duke shënuar një gol të rrallë. Egjiptiani kaloi si birila mbrojtësit e Sitit dhe riktheu Liverpulin në avantazh.

Guardiola shkundi të tijtë dhe De Bryjne, me një devijim vendimtar të Matip, fiksoi rezultatin përfundimtar në 2-2, duke ngrirë publikun në “Anfield”, që kishte nisur festën e fitores dhe vendit të parë. Barazim dhe përqafimi mes dy trajnerëve pas ndeshjes vërteton se ishte rezultati më i drejtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë