Në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit, kampionët në fuqi të Anglisë kishin marrë vetëm 3 pikë, duke iu larguar shumë kreut, ndërsa sot kanë fituar në fushën e Totenhemit 1-3, me gola të shënuar nga Firmino, Aleksander-Arnold dhe Mane. Të kuqtë ngjiten në vend të 4-t dhe e shkurtojnë në 4 pikë diferencën me kreun, që mbahet nga Mançester Siti, me një ndeshje më pak.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 4-t shtesë të pjesës së parë, kur Firmino realizoi pas një asisti të Mane. Liverpuli gjeti golin pas 487 minutash thatësinë në Premier Ligë. Në fillimin e ndeshjes Totenhemit iu anulua me VAR një gol i shënuar nga Son, pas një pozicioni milimetrik jashtë loje. Mane iu afrua golit disa herë, por Loris ishte i jashtëzakonshëm me disa pritje.
Kapiteni i Totenhemit, Herri Kejn, la fushën për dëmtim dhe në pjesën e dytë u zëvendësua nga Lamela. Mourinjo ndryshoi edhe skemën e lojës, por të tijtë ishin konfuzë në fushë. Aleksander-Arnold dyfishoi shifrat për Liverpulin, ndërsa Hojbjerg rihapi ndeshjen shpejt, por Totenhemi nuk iu afrua barazimit në asnjë moment.
Lojën e ka komanduar Liverpuli deri në fund. Ka edhe një gol të anuluar të Salah, pasi arbitri ka parë pamjet në VAR dhe ka konstatuar një prekje me dorë të Firminos. Fitoren e skuadrës së Klop e vulosi Mane. Trajneri gjerman ka rigjetur buzëqeshjen dhe Totenhemi me sa duket i sjell fat. Mourinjo mbetet ende jashtë zonës së Championsit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.