Gazeta Si – Trofeu i FA Cup kthehet në palmaresin e Liverpulit. Ekipi i Klop ka fituar finalen ndaj Çelsit, por rrezikon të humbë Salah për finalen e Championsit. Sulmuesi i “të kuqve’ u dëmtua gjatë pjesës së parë dhe u zëvendësua.
Liverpuli triumfoi në finale, falë penalltive. Ishin 120 minuta spektakolare, edhe pse nuk u shënuan gola. Koha e rregullt dhe dy shtesat përfunduan me rrjeta të paprekura, duke ia lënë ‘ruletës’ së penalltive të vendosë fatin e këtij trofeu.
Në 5 gjuajtjet e para, të dyja skuadrat humbën nga një penallti. Për Çelsin gaboi Azpilikueta, kurse për Liverplin Mane. Më pas gaboi Maunt për londinezët, ndërsa greku Tsimikas realizoi penalltinë vendimtare për skuadrën e Klop.
Festa e gjitha për Liverpulin dhe një dedikim special për Mohamed Salah. Jurgen Klop mund edhe një herë patriotin e tij Tomas Tuhel.
Dy javë para finales së Championsit ndaj Real Madrid, Liverpuli është në alarm për Salah. Egjiptiani la fushën pas 33 minutash lojë për shkak dëmtimi. Ai kërkoi ndihmën e mjekëve, të cilët e masazhuan në kofshën e djathtë, por më pas lojtari u ndërrua.

Në vend të Salah, të cilin trajneri Klop e përqafoi teksa dilte, u fut Diogo Jota. Priten përgjigjet e analizave për shkallën e dëmtimit të egjiptianit për të kuptuar më shumë. Duket një problem muskulor dhe sulmuesi do të jetë në luftë me kohën.
Mohamed Salah ka shënuar 30 gola dhe ka dhënë 16 asiste në 48 ndeshje të luajrtura. Nga këta, 8 gola i ka shënuar në Champions, ku kërkon hakmarrjen ndaj Realit.
Nëse egjiptiani do të mungojë në finalen e 28 majit në Paris, do të jetë një goditje e rëndë për Liverpulin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




