Futboll

Video/ Lacio i jep një “grusht” Interit mes tensionit, Hysaj shkakton penallti

Interi pëson humbjen e parë në kampionat. Trajneri Simone Inzagi ka marrë një shuplakë nga ish-skuadra e tij, Lacio, që ka triumfuar 3-1 në “Olimpico”, madje me përmbysje dhe mes tensionit. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 0-1 të kampionëve në fuqi, por në të dytën Lacio tundi tri herë rrjetën e Handanoviçit.

Ishte një ndeshje e hapur dhe mjaft e luftuar. Dy golat e parë u shënuan me penallti, nga Perisiç për Interin dhe nga Imobile për Lacion. Felipe Anderson kaloi Lacion në avantazh 9 minuta para fundit dhe pas këtij goli pati tension në fushë mes lojtarëve të dy skuadrave. Aksioni i Lacios u zhvillua me një lojtar të Interit të shtrirë në fushë, ndaj dhe zikaltrit iu vërsulën Andersonit për mungesë “fair-play”.

Milinkoviç-Saviç “vulosi” rezultatin në 3-1 me një gjuajtje me kokë në minutën e parë shtesë. Lacio reagon kështu pas humbjes së thellë në Bolonja dhe ngjitet në kuotën e 14 pikëve, ndërsa Interi ka 17 pikë pas 8 ndeshjesh dhe mban vendin e tretë për momentin.

Elseid Hysaj e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe u bë protagonist negativ në rastin e golit të Interit. Mbrojtësi i Kombëtares pati një kontakt të dyshimtë në zonë me Barelën, që VAR-i e konsideroi penallti dhe Perisiç u tregua i saktë nga pika e bardhë. Në pjesën e dytë, menjëherë pas barazimit të Lacios në minutën e 64-t, Hysaj la fushën dhe në vend të tij u fut Laxari.

Tomas Strakosha dhe Vedat Muriqi qëndruan gjithë kohën në stol për këtë ndeshje, ku Lacio ka marrë një fitore me vlera. Nga lojtarët e Kombëtares, sot luajti disa minuta si zëvendësues edhe Rei Manaj në fitoren 2-1 të Specias ndaj Salernitanës, ku mungoi Veseli, pasi është infektuar nga Covid-i.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë