Futboll

Video/ Laçi likuidon edhe Vllazninë dhe mbetet forcë e dytë, reagon Kukësi

Me një gol të shënuar nga Guindo me penallti, Laçi ka mundur edhe Vllazninë rivale. Kurbinasit arrijnë fitoren e tretë radhazi, pas atyre me Partizanin dhe Teutën në javët e fundit, duke u konfirmuar kështu si forca e dytë e kampionatit, me 37 pikë, 6 më pak se Tirana e vendit të parë.

Gjatë pjesës së parë Guindo goditi traversën, ndërkohë që Vllaznisë iu anulua një gol nga VAR-i, çka shkaktoi protesta nga stoli shkodran. Në pjesën e dytë Mazrekaj fitoi penallti, pas një gabimi naiv të Da Silvës. Guindo u tregua i saktë, duke shënuar golin e fitores për Laçin, që pati edhe fatin me vete, pasi Aralica goditi shtyllën.

Ka reaguar mirë sot Kukësi, që pas humbjes së thellë me Tiranën, ka fituar në Rrogozhinë, 0-2. Shqipërim Taipi dhe Ndreca janë autorët e golave për skuadrën kuksiane, që mban vendin e tretë në tabelën e renditjes.

Me këto dy ndeshje është mbyllur edhe java e 19-të e Superiores. Tirana udhëheq me 43 pikë, e ndjekur nga Laçi me 37 dhe Kukësi me 34. Mbyllin renditjen Egnatia dhe Kastrioti, me 16 dhe 15 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë