Kombetarja

Video/ Kumbulla dhe Çekiçi besojnë se Shqipëria mund të shkojë në “Play-off”

Marash Kumbulla dhe Endri Çekiçi ishin dy lojtarët e përzgjedhur për të folur sot në konferencë shtypi. Kumbulla, titullar si ndaj Polonisë, ashtu edhe ndaj Hungarisë, beson se Kombëtarja mund të kapë fazën e “Play-off”-it.

“Jam shumë i lumtur që fituam me Hungarinë, ku e gjithë skuadra luajti mirë. Për Poloninë rezultati tregon se nuk kemi luajtur mirë, por jam i kënaqur që fituam dje. Rasti i humbur? Nuk kisha çfarë të mendoja, shkova shpejt në mbrojtje. Ndodh në futboll, nuk ke çfarë të bësh. Isha pa fat, sepse ishte top i shpejtë. Nuk mund të flasim për gjërat që kanë kaluar, është e kotë”, – tha fillimisht Kumbulla.

Lojtari i Romës pohoi më pas se askush nuk është i pazëvendësueshëm në Kombëtare: “Shokët e kuadrës më ndihmojnë shumë, nuk kam problem të luaj me asnjë. Asnjë lojtar nuk është titullar i padiskutueshëm, rëndësi ka që ekipi kombëtar të ecë mirë. Kush luan, duhet të japë 100%”.

Mbrojtësi kuqezi foli në fund edhe për shanset e një kualifikimi të mundshëm: “Dëshira jonë është të bëjmë më të mirën, të shkojmë në “Play-off”. Është e vështirë, sepse janë ekipe të forta, por do të japim maksimumin në fushë. Ka rivalitet me Poloninë dhe Hungarinë, por unë besoj”.

Endri Çekiçi. Gazeta Si, 6 shtator 2021

Endri Çekiçi, i cili ndaj Hungarisë u fut në fushë në pjesën e dytë, u shpreh: ”Në pjesën e parë luajtëm mirë edhe me Poloninë. Në pushim trajneri na tha të mos bënim të njëjtat gabime, sepse do na ndodhte si në Poloni. Kemi një grup me lojtarë të talentuar dhe besoj se vitet e ardhshme do kemi ekip kompetitiv në rajon dhe në botë.

Natyrisht, çdo lojtar do të luajë, e rëndësishme është që të jesh pjesë e grupit. Vij këtu për fanellën. Nuk na vendos në trysni kundërshtari, dimë çfarë cilësish kemi dhe besojmë se mund të arrijmë vendin e dytë në grup. Në ndeshjet në vazhdim loja do të vijë duke u përmirësuar. Me San Marinon të sigurojmë tri pikët, pastaj të shohim për goleadën. Kemi ndryshuar stilin e lojës, jemi më offensive”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë