Pak javë më parë trajneri Diego Longo ishte pranë largimit nga Kukësi, por nuk ndodhi kështu. Italiani qëndroi dhe po e udhëheq me sukses Kukësin, tashmë vetëm një pikë prapa Tiranës kryesuese. Pasi e mundi në ndeshjen direkt, Kukësi përfitoi edhe këtë javë nga barazimi i Tiranës në Korçë.
Kukësi mundi sot 2-0 Egnatian në stadiumin e Laçit, me gola të Bashës dhe Milunoviç. Një fitore që e ngjit këtë skuadër në kuotën e 20 pikëve pas javës së 10-të të Abissnet Superiores. Ajo që duhet veçuar këtë bëjë me faktin se Kukësi i Longos, përveçse po merr rezultate, po luan edhe futbollin më të bukur të momentit, sipas specialistëve.
Ka fituar sot edhe Dinamo, që mposhti 1-0 Kastriotin në stadiumin “Elbasan Arena”. Dinamo vuajti jo pak, por ia doli të marrë 3 pikët, falë një goli fantastik të kapitenit Agim Ibraimi me goditje dënimi.
Minutat shtesë ishin dramatike. Portieri Bakaj bëri dy pritje vendimtare, duke u mohuar golin krutanëve. Kastrioti fitoi edhe një penallti, që më pas u anulua nga VAR-i, pasi faulli u shkaktua jashtë zonës. Me këtë fitore, Dinamo i largohet fundit të tabelës dhe ngjitet në vend të 5-të, me 13 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




