Gazeta Si - Monika Kryemadhi është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në zbatim të masës “detyrim paraqitje” të caktuar nga GJKKO, pasi akuzohet për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Deputetja e Kuvendit, ish-gruaja e Ilir Metës, duhet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, çdo të hënë të parë të muajit, në orën 12:00.
Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, deputetja e Partisë së Lirisë tha se ka "zero komunikim me Metën" pas arrestimit të tij. “Jo, jo. Nuk komunikoj, zero me zotin Meta”, u shpreh ajo.
Për mediat, ajo tha se do të përballet me drejtësinë, pavarësisht se në gjykimin e saj organi i akuzës ka bërë shkelje ligjore.
“Unë jam një individ, aq më shumë një politikane që vendos të përballem edhe me padrejtësitë që bëhen. Sigurisht që unë po bëj komplet mbrojtjen time ligjore sa i përket pretendimeve që ka ngritur SPAK ndaj meje. Kam konstatuar një sërë shkeljesh ligjore të konsumuara nga organi i akuzës. Patjetër që këto do të kundërshtohen me prova, me fakte dhe argumente që do t’u vërtetojnë shqiptarëve të kundërtën e asaj që shkruhet. Normalisht dhe ju do të njiheni me to, me të vërtetat e Monika Këmbësores dhe satelitëve të gjithësisë. Kështu që duroni se do të informoheni për të gjitha, pasi edhe ky është proces që kërkon sistemin e vetë të zbatimit të gjërave dhe për të treguar sesa i vërtetë është procesi dhe sa qëndrojnë faktet”, tha Kryemadhi.
Ish-presidenti Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, u arrestua me urdhër të SPAK për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Nën hetim për të njëjtat akuza është edhe deputetja Monika Kryemadhi, bashkëshorte e Ilir Metës me të cilin ndodhet aktualisht në proces divorci.
Gjykata ka vendosur masën e “detyrimit për paraqitje” para oficerëve të Policisë Gjyqësore për Kryemadhin; arrest shtëpie për ish-zyrtarin Pirro Xhixho, i akuzuar gjithashtu për korrupsion pasiv si dhe masën e detyrimit për paraqitje për Ema Çokun, e akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale.
Po ashtu, këtë të hënë, Kryemadhi ka ankimuar vendimin e masës "detyrim për paraqitje", duke dërguar ankimimin e saj përmes postës ditën e shtunë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.