Futboll

Video/ Kroacia siguron biletën për në Katar, Maqedonia e Veriut shkon në ‘Play-off’

Kroacia siguron biletën e Botërorit 2022 në Katar, falë fitores 1-0 kundër Rusisë. Në ndeshjen e luajtur në Split, ku fusha u shndërrua gati në një pishinë, vendosi një autogol i Kudriashov 8 minuta para fundit. Nënkampionët e botës kanë parakaluar pikërisht Rusinë me këtë fitore (23 me 22 pikë).

Djemtë e Zllatko Daliç janë kualifikuar si kryesues të Grupit H për në Botërorin e Katarit. Rusia shpreson ende të shkojë në këtë kompeticion, pasi ka të drejtën e “Play-off”-it. Kroatët duhej të fitonin patjetër dhe u hodhën në sulm që në fillim, por rusët u mbrojtën shumë mirë, duke lënë pak hapësira. Muri rus u rrëzua në minutën e 82-të, kur Kudriashov tradhëtoi të tijtë, duke shkaktuar autogol.

Në Grupij J, me Gjermaninë e kualifikuar që fitoi 1-4 në Armeni, lufta ishte për vendin e dytë, që vlen për “Play-off”-in. Dhe ky vend i ka takuar Maqedonisë së Veriut, falë fitores 3-1 ndaj Islandës. Për Rumaninë nuk vlejti fitorja 0-2 në fushën e Lihtejnshteinit. Maqedonasit e kanë mbyllur grupin me 18 pikë dhe e kanë lënë pas Rumaninë.

Në Shkup, Alioski kaloi përpara vendësit, ndërsa VAR-i i mohoi golin Çurlinovit. Torsteinson barazoi për Islandën dhe u duk se Maqedonia e Veriut do të vuante, por Elmas realizoi 2 gola, duke mbajtur gjallë shpresat për Botërorin me anë të “Play-off”-it. Pas pjesëmarrjes historike në Europian, fqinjët tashmë ëndërrojnë edhe Botërorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë