Futboll

Video/ Kosova kapitullon në Suedi, dardanët pësojnë 3 gola si në Prishtinë

Kosova është mundur thellë në Suedi. Rezultati 3-0 flet qartë për ndeshjen e zhvilluar nga dardanët në “Friends Arena”. Duhet theksuar se rezultati u zhbllokua nga një episod shumë i diskutueshëm në pjesën e parë.

Arbitri italian, Di Belo, akordoi penallti për Suedinë, pasi qëndroi gati 6 minuta para monitorit të VAR-it, ku pa një prekje të topit me dorë të Rashanit. Emil Forsberg mposhti portierin Muriç nga pika e bardhë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij.

Kosova ishte në lojë deri në minutën e 62-të, kur sulmuesi Isak realizoi një gol shumë të bukur nga jashtë zonës. Topi në trekëndësh dhe asnjë shans për portierin Muriç. Goli i tretë erdhi nga Kuaison, pak minuta pasi ishte futur në fushë. Lojtari suedez kaloi me lehtësi mbrojtësit e Kosovës dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Ishte humbja e dytë për Kosovën ndaj Suedisë dhe me të njëjtin rezultat. Kujtojmë që edhe në Prishtinë suedëzët fituan 0-3. Kosova mban vendin e 4-t në Grupin B të eliminatoreve të Botërorit, me 4 pikë pas 6 ndeshjesh. Dardanët kanë mundur vetëm Gjeorgjinë dhe kanë barazuar me Greqinë në Prishtinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë