Futboll

Video/ Karim Benzema hyjnor, tripleta e tij fshin PSG-në dhe kualifikon Realin

Gazeta Si – Real Madrid dhe Mançester Siti janë dy skuadrat e tjera çerekfinaliste në Ligën e Kampionëve, pas Bajern Mynih dhe Liverpulit. Përmbysje e madhe e madrilenëve, të cilët kanë nxjerrë jashtë PSG-në e Mesit, Mbape dhe Nejmar, falë një Benzema të jashtëzakonshëm, autor të një triplet mbrëmjen e sotme.

Kilian Mbape shënoi përsëri ndaj atij që me shumë mundësi do të jetë ekipi i tij i ri. Ai realizoi golin e avantazhit për francezët në minutën e 39-të, ndërkohë që më parë iu anulua një gol për pozicion jashtë loje. Me PSG-në në avantazh në “Bernabeu” dhe me ndeshjen e parë të fituar 1-0 prej saj, kualfikimi u duk i mbyllur, por Reali është Real dhe sidomos në Champions nuk vdes kurrë.

Karim Benzema barazoi shifrat kur kishte kaluar një orë lojë, duke ndezur shpresat për fitore. Sulmuesi francez, me shiritin e kapitenit në krah, realizoi edhe dy gola të tjerë në minutat ’76 dhe ’78, duke e çuar rezultatin në 3-1 dhe duke i dhënë kualifikimin skuadrës së Karlo Ançelotit.

Vërtet hyjnor sulmuesi veteran, që i vetëm eliminoi sheikët e PSG-së. Një mbrëmje në hije për Lionel Mesin.

Në ndeshjen tjetër, kualifikimi i Mançester Sitit ishte vetëm një formalitet, duke ditur fitoren 0-5 ndaj Sportingut të Lisbonës në ndeshjen e parë. Të besuarit e trajnerit Pep Guardiola nuk shpenzuan energji dhe ndeshja në Angli përfundoi në barazim, 0-0.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë