Ndryshe nga Seria A, ku ka mbetur shumë prapa me pikë, duke regjistruar rezultate zhgënjyese, Juventusi i Championsit është kompetitiv dhe udhëheq Grupin H me pikë të plota. Skuadra e trajnerit Alegri ka mposhtur sot edhe kampionët në fuqi të Çelsit, falë një goli të Kiezës.
Është një fitore shumë e rëndësishme për klasifikimin e Grupit H. Në “Stadium” londinezët e kontrolluan mirë lojën në pjesën e parë, por rastet e pastra i patën vendësit. Në fillim të pjesës së dytë Kieza mposhti portierin Mendi dhe më pas Bonuçi&Co e mbrojtën rezultatin me çdo mënyrë. Lukaku zhgënjeu në këtë ndeshje, ku humbi një mundësi të mirë për të barazuar rezultatin. Të dyja skuadrat kishin shumë mungesa në këtë ndeshje.
Bajerni i Mynihut mundi thellë, 5-0, Dinamon e Kievit, duke marrë fitoren e dytë në grup. Në pjesën e parë Levandovski realizoi dy herë, kurse në të dytën thelluan rezultatin Gnabri, Sane dhe Çoupo-Moting. Barcelona në krizë ka pësuar një tjetër humbje, është mundur 3-0 nga Benfika dhe mbetet në vend të fundit në grup me 0 pikë. Më keq se kaq…
Mançester Junajtid ka marrë fitoren e parë, por me shumë vuajtje. Ajo ka ardhur vetëm në minutën e 5-të shtesë nga i pavdekshmi Kristiano Ronaldo. Spanjollët shënuan të parët me Pako Alkaser, ndërsa golin e barazimit për Mançesterin e realizoi Telesh.
Champions, ndeshjet e sotme
Atalanta-Jang Bojs 1-0
Zenit-Malmo 4-0
Bajern M.-Dinamo K. 5-0
Benfika-Barcelona 3-0
Juventus-Çelsi 1-0
Mançester J-Vilarreal 2-1
Salcburg-Lilë 2-1
Volfsburg-Sevilja 1-1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




