Mbrojtësi i Kombëtares, Ivan Balliu, ka shënuar sot një gol të rëndësishëm për Rajo Valekanon. Ai i ka dhënë një pikë skuadrës së tij, që barazoi 1-1 në fushën e saj kundër Betisit.
Futbollisti kuqezi, titullar i padiskutueshëm në formacionin e Rajo Valekanos, ka shënuar golin e parë në La Liga dhe kënaqësia për të ishte e dyfishtë. Balliu është shqiptar i dytë që realizon gol në nivelin më të lartë të futbollit spanjoll. Më parë ka shënuar Valdet Rama, kur luante për Valadolidin.
Mbrojtësi 30-vjeçar po zhvillon sezonin më të mirë në karrierë, duke qenë stabël në formacionin e Rajos. Në Kombëtare nuk ka mundur ende të tregojë asgjë, ndoshta për faktin se luan në të njëjtin pozicion me Elseid Hysajn, apo edhe për faktin se trajneri aktual Reja luan me tre mbrojtës. Për momentin, Balliu është më në formë se shkodrani, që ka luajtur edhe në të majtë të mbrojtjes.
Me këtë formë sportive dhe me përvojën që po fiton në La Liga, Balliu mund të jetë një element i rëndësishëm për Kombëtaren në kualifikueset e radhës. Goli i sotëm ishte një mesazh edhe për stafin teknik të kuqezinjve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




