Euro 2020

Video/ Italia vuan ndaj Austrisë, Mançini e zgjidh kualifikimin nga stoli

Në provën e parë të vështirë pas ndeshjeve të grupit, Italia ka vuajtur jo pak për t’u kualifikuar në çerekfinale të Euro 2020. Një kualifikim i siguruar në shtesë, falë lëvizjeve të goditura të trajnerit Roberto Mançini nga stoli gjatë pjesës së dytë. Kieza dhe Pesina rrëzuan “kalanë” austriake me dy gola të shënuar në minutat ’95 dhe ‘105. Në çerekfinale italianët do të përballen me fituesin e çiftit Belgjikë-Portugali më 2 korrik.

Në stadiumin “Wembley” Italia zbriti me pak ndryshime në formacion, me Verratin dhe Açerbin titullarë. Minutat e para ishin të mira për “axurrët”, që krijuan epërsi teritoriale dhe iu afruan portës së Austrisë. Çiro Imobile goditi befasisht nga jashtë zonës dhe tronditi traversën. Austria, pasi kaloi momentin e vështirë, arriti të vinte balancë në fushë dhe të kundërsulmonte herë pas here.

Në mesin e pjesës së dytë Arnautoviç shtangu italianët, kur e dërgoi topin në rrjetën e Donarumës, por sulmuesi austriak ishte në pzoicion jashtë loje dhe VAR-i e zhvlerësoi golin. Nga ky moment trajneri Mançini nisi ndërrimet, duke hedhur me radhë në fushë Pesinën, Lokatelin, Kiezën dhe Belotin. Austria u mbrojt mirë dhe 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan me rrjeta të paprekura.

Në shtesë, Kieza tregoi aftësitë e tij, duke zhbllokuar rezultatin me një veprim të bukur teknik në zonë. Lojtari i Juventusit u lirua nga mbulimi i mbtojtësit kundërshtar dhe goditi saktë me të majtën. Austria, duke mos pasur asgjë për të humbur, shtyu më shumë përpara dhe la hapësira në mbrojtje. Pesina realizoi golin e dytë për Italinë, por në minutën e 114-të Austria u rifut në lojë me golin e Kallajxhiç. Në fund festa ishte e gjitha për italianët, pas një kualifikimi shumë të lodhshëm.

Itali-Austri 2-1
Italia (4-3-3): Donaruma, Di Lorenco, Bonuçi, Açerbi, Spinacola, Barela (Pesina), Zhorzhinjo, Verrati (Lokateli), Berardi (Kieza), Imobile (Beloti), Insinje (Kristante). Trajner: Mançini
Austria (4-2-3-1): Baçman, Lainer (Trimel), Dragoviç, Hintereger, Alaba, Shlager (Gregoritsh), Grlilitsh (Shvub), Laimer (Ilsanker), Sabitzer, Baumgartner (Shopf), Arnautoviç (Kallajxhiç). Trajner: Foda
Arbitër: Tejlor (Angli)
Shënues: Kieza 95’, Pesina 105’, Kallajxhiç 114’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë