Edhe pse me shumë ndryshime nga formacionin titullar, Italia ka arritur të fitojë edhe ndeshjen e tretë në grup, duke e mbyllur atë me pikë të plota, me golaverazhin 7-0. Një paraqitje shumë e mirë e djemve të Mançinit dhe një sinjal i qartë se Italia nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë. Uellsi ruan vendin e dytë, pavarësisht humbjes. Në ndeshjen tjetër, Zvicra ka mundur 3-1 Turqinë dhe shpreson të kalojë mes të tretave më të mira.
Ndeshja Itali-Uells u vendos nga një gol i Pesinës në pjesën e parë. “Axurrët” patën edhe disa mundësi të tjera, ku Bernardeski ishte pa fat, teksa u ndal nga shtylla. Uellsi, që luajti me formacionin më të mirë, mbeti për shumë minuta me 10 vetë, pasi Ampadu u dëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të rrezikshme. Mançini la pushim në këtë ndeshje lojtarë si Spinacola, Barela, Lokateli, Insinje, Imobile dhe Di Lorenco.
Zvicra nuk ka gabuar ndaj Turqisë, ka fituar 3-1 dhe është ngjitur në kuotën e 4 pikëve, çka e bën të shpresojë për kualifikimin si një nga 4 skuadrat e treta më të mira të fazës në grupe. Ajoka ka pikë të barabarta me Uellsin, por golaverazh më të dobët. Protagonist në ndeshjen e sotme ishte futbollisti shqiptar, Xherdan Shaqiri, autor i dy golave, kurse Granit Xhaka goditi shtyllën.
Zviceranët kaluan në avantazh me Seferoviç, më pas Shaqiri dyfishoi me një të djathtë spektakolare nga jashtë zonës, me topin që përfundoi në trekëndësh. Turqia shkurtoi diferencën në 2-1 në pjesën e dytë, por ishte sërish Shaqiri që preu shpresat e saj me golin e tretë. Ishte një Europian zhgënjyes për Turqinë, që kthehet në shtëpi pas 3 humbjesh në 3 ndeshje, ku pësoi 8 gola dhe shënoi vetëm 1.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.