Euro 2020

Video/ Itali impresionuese, dominim absolut dhe “tris” golash Turqisë

Italia e ka nisur në mënyrën më të mirë Europianin 2020, ka dominuar totalisht në lojë dhe ka fituar 0-3 në “Olimpico” ndaj Turqisë, duke dhënë kështu sinjale të qarta se mund të rivalizojë për titullin me pretendentët e tjerë. Autogoli i Demiral dhe golat e Imobiles dhe Insinjes i kanë dhënë skuadrës së Mançinit 3 pikët e para në Grupin A, ku bëjnë pjesë edhe Uellsi dhe Zvicra.

Italianët luajtën me skemën 4-3-3, me veteranët Kielini e Bonuçi në qendër të mbrojtjes, Spinaciolën dhe Florencin në krahë, Zhorzhinjon, Lokatelin dhe Barelën në mesfushë, ndërsa në sulm Imobile kishte mbështetjen e Insinjes dhe Berardit. Gunesh në krahun tjetër u përgjigj me një 4-1-4-1, me veteranin Burak Jillmaz në majë të sulmit.

Komandën e lojës e kishte në dorë Italia, që në pjesën e parë iu afrua shumë golit me Insinjen dhe Kielinin, ndërkohë që pretendoi në 2-3 raste për 11-metërsh. Pjesa e dytë nisi me nga një ndërrim për çdo skuadër, Under në vend të Jazixhi te Turqia dhe Di Lorenco në vend të Florencit. Rezultati do të zhbllokohej në minutën e 53-të, kur një top i fortë i Berardit nga e djathta u devijua nga Demiral në portën e vet. Kaq u desh dhe Italia u çlirua. Pas pak minuatsh erdhi edhe goli i dytë nga Imobile, i cili ndoqi aksionin dhe dërgoi në rrjetë topin e gushtuar nga portieri turk.

Insinje realizoi golin e tretë pas një gabimi të portierit Çakir, i cili u dhuroi topin italianëve dhe sulmuesi i Napolit nuk fali brenda zonës. Turqia bëri shumë pak në këtë ndeshje, vetëm u mbrojt dhe nuk ishte aspak efikase në kundërsulm. Për Italinë gjithçka shkoi sipas parashikimeve, pavarësisht se goli u vonua pak. Spinacola, Kileni dhe treshja e sulmit ishin ndër më të mirët për Italinë në këtë ndeshje.

Tifozët i kanë dhënë bukuri ndeshjes, edhe pse në një numër të reduktuar. Një episod i veçantë ishte ai para nisjes së ndeshjes, kur topi shkoi tek arbitri kryesor në qendër të mesfushës me një maiknë të vogël me komandim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë