Futboll

Video/ Interi reagon menjëherë, mund Udinezen dhe mbetet -2 pikë nga kreu

Gazeta Si – Dy gola të shënuar në pjesën e parë i kanë mjaftuar Interit për të fituar në fushën e Udinezes dhe për të mbetur në garën e titullit kampion. Diferenca sërish -2 nga Milani kryesues.

Interi i është përgjigjur menjëherë Milanit në javën e 35-të të kampionatit, duke fituar 2-1 në shtëpinë e Udinezes. Sfida në ‘Dacia Arena’ u zhbllokua shumë shpejt, pas 12 minutash, kur Ivan Perisiç shënoi me kokë në zhvillimet e një goditjeje këndi.

Dyfishimi zikaltër erdhi nga Lautaro Martinez. Argjentinasi goditi shtyllën nga pika e bardhë e penalltisë dhe pastaj me kokë çoi në rrjetë topin e prekur nga Silvestri. Në pjesën e dytë Udineze shkurtoi diferencën me Puseton dhe rihapi ndeshjen, por pa mundur të shkonte te barazimi.

Kanë mbetur edhe tri javë deri në fund të Serisë A dhe Milani udhëheq me 77 pikë, i ndjekur nga Interi me 75 pikë. Gjithçka mbetet e hapur për titullin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë