Futboll

Video/ Ibrahimoviç kap shifrën e 400 golave, Milani shtyp edhe Romën

Zllatan Ibrahimoviç dhe Frenk Kesi kanë udhëhequr Milanin për fitoren e radhës në kampionat. Kuqezinjtë kanë triumfuar në “Olimpico” ndaj Romës, me rezultatin 1-2, duke iu ribashkuar menjëherë Napolit në krye të klasifikimit me nga 31 pikë pas javës së 11-të të Serisë A.

Sulmuesi veteran ishte protagonist i mbrëmjes. Në minutën e 25-të ai zhbllokoi rezultatin me një goditje dënimi, duke surprizuar Rui Patricion në shtyllën e tij. Në fillim të pjesës së dytë suedezi fitoi një penallti, që u kthye në gol nga Kesi, por nuk ishte e thënë që Milani ta kontrollonte ndeshjen me qetësi edhe pas këtij momenti.

Për 25 minuta skuadra e trajnerit Stefano Pioli luajti me 10 vetë, pasi Teo Hernandez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Një ndëshkim që e lë mbrojtësin francez jashtë derbit me Interin në javën e ardhshme. Milani ia doli ta ruante fitoren, ndërsa goli i El Sharauit erdhi me shumë vonesë, atëherë kur gjithçka kishte përfunduar.

Për Zllatan Ibrahimoviçin ky ishte goli i 400-të në karrierë dhe i 150-i në Serinë A. Gjithashtu, sulmeusi i Milanit ka thyer edhe një rekord: ai është futbollisti më i vjetër që shënon në “Olimpico”. Rekordin e mbante Françesko Toti, që në këtë stadium kishte shënuar në moshën 39 vjeç, 11 muaj e 15 ditë, kurse Ibrahimoviç i ka mbushur 40 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë