Gazeta Si – Policia e Tiranës ka zbardhur zjarrvënien e makinës së Ujësjellës Kanalizime Tiranë, ngjarje e ndodhur më 25 Mars 2022. Automjeti i ndaluar përpara Bashkisë së Tiranës u përfshi nga flakët e zjarrit pasditen e së premtes. Ka qenë 28-vjeçari Endrit Jolldashi, i cili hodhi poshtë makinës një shishe me benzinë.
Më pas është larguar me biçikletë. Të gjitha lëvizjet e tij janë të kapura nga kamerat e sigurisë në rrugët e kryeqytetit, që pas analizimit nga Policia e Tiranës, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i tij.
Ai akuzohet për shkatërrim të pronës me zjarr, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta dhe prodhim e mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive.
Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së Endrit Jolldashit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një thikë, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, një shishe plastike e mbushur me benzinë, një pushkë sportive detare, një biçikletë dhe dy aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




