Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Elseid Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares, duket i rilindur me me trajnerin Mauricio Sarri, i cili ka besuar gjithmonë te futbollisti shkodran, që kur ishin bashkë tek Empoli. Në ndeshjen e dytë me fanellën e Lacios, Hysaj ka gjetur golin, i dyti për të në Serinë A, pas atij të shënuar me fanellën e Napolit.

Hysaj është një titullar fiks në formacionin e Sarrit, por në krahun e majtë të mbrojtjes. Këtë pozicion mbrojtësi kuqezi e ka mbuluar edhe te Napoli, por edhe në Kombëtare, edhe pse pak më i spostuar përpara nga Reja. Shkodrani shënoi sot golin e 5-të në fitoren 6-1 të Lacios ndaj Specias. Hysaj është vlerësuar me notën 7 për paraqitjen në këtë ndeshje, ku për Laacion realizuan edhe Imobile 3 gola, Felipe Anderson dhe Luis Alberto.
Situata është ndryshe për portierin Tomas Strakosha, që vazhdon të qëndrojë në stol, pasi edhe Sarri preferon Reinën titullar. Pas dy ndeshjesh kampionat, Lacion qëndron në krye me 6 pikë, ndërkohë që dora e trajnerit Sarri po ndihet te kjo skuadër, e tregojnë qartë 9 golat e shënuar deri tani.
Një mbrëmje e madhe ishte edhe për Ardjan Ismajlin dhe Nedim Bajramin: Empoli i tyre tronditi Juventusin brenda në Torino, duke fituar 0-1. Mbrojtësi kuqezi luajti 90 minuta dhe u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e dytë, ndërsa Bajrami, protagonist në aksionin e golit, u zëvendësua 20 minuta para fundit të ndeshjes. Që të dy lojtarët e Kombëtares u vlerësuan me notën 7 nga shtypi italian. Një fitore e bujshme kjo për skuadrën e dy kuqezinjve (për Bajramin pritet ok-i i FIFA-s).
Për Juventusin, që bëri një lojë shumë të dobët, ishte një goditje e fortë një ditë pas ikjes së Kristiano Ronaldos. Trajneri Alegri ka shumë punë për të bërë, pasi skuadra po vuan dhe pas dy ndeshjeve të para ka vetëm 1 pikë në kampionat.
Një ndeshje të plotë ka luajtur sot edhe Berat Gjimshiti, por Atalanta e tij nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në fushën e saj ndaj Bolonjës. Kuqezinjtë e Serisë A duken në top-formë para ndeshjeve të Kombëtares, së silës do t’i bashkohen të dielën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




