Ka ndodhur

Video/ Hidhet në erë “Prestige Resort” në Golem

“Prestige Resort” u hodh sot në erë me 70 kg eksploziv. Prej disa ditësh ka nisur aksioni i IKMT-së për shembjen e resortit, një ngjarje që ka sjellë reagimin e shumë emrave të politikës.

Këto janë pamjet kur hoteli 7-katësh hidhet në erë, ndërsa pas mbetën vetëm shtëllunga tymi dhe inerte.

Disa orë pas shembjes ka reaguar edhe Edi Rama në Twitter duke thënë se “një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një çertifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi!Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë”.

Menjëherë pas ka reaguar edhe sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka duke thënë se hedhja në erë e një hoteli 7 katësh, pronë private me leje, e një kompanie që drejton një grup të madh mediatik kritik me qeverinë, dy ditë para Samitit të BE në Tiranë, është provë e marrëzisë së Edi Ramës, por edhe fundit të tij qesharak.

“Edhe pse mbeteshin vetëm pak orë para se gjykata Administrative të shprehej për anulimin ose jo të vendimit për shembjen, jeniçerët e qeverisë kanë shtypur butonin e tritolit.

30 milion euro investim është bërë hi para syve të miliona shqiptarëve”, ka thënë Noka duke shtuar se qindra punonjës kanë humbur punën, rrogat dhe sigurinë për fëmijët dhe familjarët.

“Partia Demokratike i neverit dhe dënon me ashpërsi vendime dhe akte të tilla, që janë imitime të verbra dhune dhe frike ushtruar nga Talebanët në Afganistan. Një thirrje për ndërkombëtarët vlen sot dhe në çdo rast: Enver Hoxha kështu e nisi, duke goditur tregtarët dhe kundërshtarët politikë.

Eshte koha që t’i dalim para kësaj marrëzie. Eshte koha t’i dalim zot Shqipërisë!

Nuk mund të jemi spektatorë të kantierit të një të marri, që dhunën e konsideron punë dhe ligjin hu dhe litar për ata që nuk i binden.

Të bëhemi bashkë të martën dhe t’ia hedhim në erë iluzionin se ai mund të bëjë si dhe çfarë të dojë me Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë