Futboll

Video/ Gola të rëndë kuqezi, Uzuni dhe Çekiçi firmosin fitoret në Hungari e Turqi

Gola me peshë në kampionatet ku luajnë për dy lojtarët e Kombëtares, Myrto Uzunin dhe Endri Çekiçin. Që të dy kanë qenë vendimtarë, sepse kanë shënuar në kohën shtesë golin e fitores për skuadrat e tyre.

Ferencvaroshi ka marrë kryesimin në kampionatin hungarez, falë një goli të Myrto Uzunit në minutën e dytë shtesë të ndeshjes ndaj Honved. Beratasi goditi saktë në zonë dhe golin e fitores e festoi duke hequr fanellën, çka i kushtoi ndëshkimin me karton të verdhë.

Po kaq i rëndësishëm ishte edhe goli i Endri Çekiçit në Turqi. Futbollisti pogradecar, i futur në fushë në minutën e 80-të, shënoi në minutën e 3-të shtesë me një gjuajtje të bukur. Goli i tij i dha fitoren Koniasporit ndaj Antaliasporit. Edhe Çekiçi u ndëshkua me karton të verdhë pas festës së golit, pasi edhe ai hoqi fanellën. Titullar në këtë ndeshje ishte edhe sulmuesi tjetër kuqezi, Sokol Cikalleshi, i cili u ndërrua pas 70 minutash lojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë