Futboll

Video/ Gola, të kuq e penallti. Në derbi ndodh gjithçka, mungon vetëm fituesi

Edhe derbi i parë i këtij kampionati nuk bën përjashtim nga “rregulli” i barazimit, që në këto javë të fillimit është rezultati që dominon ndeshjet. Dinamo dhe Partizani kanë ndarë nga një pikë në “Elbasan Arena”, ku barazuan 1-1, por ata që mund të kënaqen nga ky rezultat janë dinamovitët, të cilët luajtën me 10 lojtarë gjithë pjesën e dytë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Sofranak.

Blutë e nisën më mirë ndeshjen dhe gjetën golin me kapitenin Ibraimi që në minutën e 15-të. Loja pati ritëm dhe të dyja skuadrat krijuan raste shënimi, por Ibraimi u ndal nga Hoxha dhe Cara nga Harizaj. Momenti kyç i ndeshjes ishte fundi i pjesës së parë. Arbitri Cjapi ndëshkoi me të verdhë lojtarin malazez të Dinamos dhe pas thirrjes nga VAR-i kartoni u bë i kuq.

Skuadra e Shkëmbit rezistoi deri në minutën e 76-të, kur Partizani fitoi një penallti me Carën dhe që u kthye në gol nga Zhunior. Cara humbi edhe një rast fatal mbi vijën e portës, ndërsa Dinamo pretendoi për një penallti në fund. Gjyqtari vazhdoi lojën dhe derbi u mbyll në barazim, 1-1.

Dinamo ngjitet në kuotën e 6 pikëve pas katër javësh, kurse Partizani ka vetëm 3 pikë dhe ende nuk e ka provuar shijen e fitores në këtë kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë