Ka qenë një fundjavë për t’u mbajtur mend nga lojtarët e Kombëtares shqiptare, teksa disa nga sulmuesit kanë gjetur rrugën e rrjetës me klubet.
Armando Broja, i cili militon në radhët e Vitesses, në kampionatin holandez ka realizuar një gol mjaft të bukur në sfidën kundër PSV. Sulmuesi kuqezi i Kombëtares, përmes një asisti të dhënë nga shoku i tij i skuadrës, goditi saktë topin brenda zonës me të djathtën dhe kaloi në avantazh skuadrën e tij që në minutën e 4-t. Gjithsesi, ekipi shqiptarit ishte i pafat pasi PSV përmbysi disavantazhin dhe fitoi 3-1.
Pavarësisht rezultatit final, ky është një lajm i mirë për Armando Brojën, i cili shkon në kuotën e tetë golave të shënuar me ekipin e Vitesses, në 19 ndeshje të luajtura, ku 12 i ka nisur si titullar. Talenti shqiptar ka një mesatare prej 1 goli në çdo 134 minuta.
Edhe Rey Manaj përgjigjet në apel, duke shënuar dy gola me Barcelonën në sfidën e javës së 17-të të Segunda Division ndaj ekipit Hospitalet. Sulmuesi kuqezi shënoi golin e parë në minutën e 20-të, pasi goditi bukur me kokë, duke dërguar topin në rrjetë. Në fund të pjesës së parë katalanasit fitojnë një penallti, që e shndërron në gol Rey Manaj, i saktë si zakonisht nga 11-metërshi. Barcelona B e fitoi takimin me rezultatin 3-0, ndërsa Manaj bëri një paraqitje mjaft të mirë. Manaj qëndroi në fushë deri në minutën e 77-të, kur u zëvendësua nga Zeballos. Sulmuesi kuqezi shkon në kuotën e 7 finalizimeve në kampionat. Vetëm pak ditë më parë shëno dy herë në barazimin 2-2 me Prat.
Gol de Rey Manaj! 1-0. #FCBMasia pic.twitter.com/COjc7LNcPp
— ■neurophate (@neurophate_) February 21, 2021
Të shtunën ishte Sokol Cikalleshi që realizoi dy gola me klubin e tij turk Konyaspor, ndërsa Myrto Uzuni i dhuroi fitoren Ferencavaros në Hungari me një gol me peshë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




