Futboll

Video/ Gol spektakolar i Uzunit në Ligën e Europës, Strakosha kthehet titullar

Myrto Uzuni ka lënë shenjën e tij në ndeshjet e sotme në Ligën e Europës. Futbollisti i Kombëtares realizoi golin e vetëm për Ferencvaroshin ndaj Betisit, ku hungarezët humbën me rezultatin 1-3. Ishte një gol tërësisht për meritë të sulmuesit beratas.

Në fundin e pjesës së parë, Uzuni me zgjuarsi i rrëmbeu një top mbrojtësit kundërshtar dhe në hyrje të zonës së rreptësisë gjuajti saktë me të djathtën, duke tundur rrjetën. Ishte goli i barazimit në këtë ndeshje, por në pjesën e dytë spanjollët sulmuan më fort dhe shënuan dy herë të tjera, duke e lënë Ferenvaroshin në kuotën e 0 pikëve pas dy ndeshjesh.

Protagonistë në Ligën e Europës kanë qenë edhe dy kuqezinjtë e Lacios, Elseid Hysaj dhe Tomas Strakosha. Trajneri Sarri i dha sërish besim Strakoshës, pavarësisht gafës që ai bëri në Turqi me Gallatasarajin. Dhe sot Lacio fitoi 2-0 ndaj Lokomotivës së Moskës. Strakosha e ruajti portën të paprekur dhe kjo ndeshje mund të jetë një shtysë e fortë për rikthimin e tij në ditët më të mira. Vedat Muriqi luajti si zëvendësues, duke zënë vendin e Imobiles së dëmtuar që në pjesën e parë.

Legia e Varshavës ka mundur sot 1-0 Leiçesterin dhe kryeson grupin e saj me dy fitore. Në ndeshjen e sotme nuk pati hapësirë për asnjë nga dy futbollistët shqiptarë, Ernest Muçin dhe Jurgen Çelhakën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë