Nedim Bajrami realizon golin e tretë në Serinë A. Dy të parët i kishte shënuar me panallti, këtë herë ka shënuar me aksion. Futbollisti i Kombëtares shqiptare ishte vendimtar në fitoren 3-1 të Empolit ndaj Udinezes, ku fillimisht shënoi golin e dytë për skuadrën e tij dhe më pas dha asistin e golit të tretë.

Bajrami e nisi ndeshjen titullar dhe u ndërrua në minutën e 81-të nga trajneri Andreacoli, pasi e kishte kryer misionin e tij në këtë fitore të rëndësishme. Empoli u gjend në disavantazh shpejt, por arriti të përmbyste gjithçka në pjesën e dytë, ku fjalën e parë e kishte lojtari kuqezi.
Stojanoviç realizoi golin e barazimit, më pas Bajrami e kaloi Empolin në avantazh, duke dërguar në rrjetë një top nga shumë afër portës. Trekuartisti kuqezi shërbeu Pinamontin për golin e tretë, që mbylli llogaritë e ndeshjes. Pas kësaj fitoreje, Empoli është ngjitur në kuotën e 23 pikëve dhe mban vendin e 11-të.
Vlerësimet për Bajramin nga shtypi italian kanë qenë të larta. Ai është konsideruar si njeriu i përmbysjes për Empolin në këtë ndeshje, ku ishte më i miri në fushë, duke merituar notën 7.5. Gradualisht fantazisti duket se po kap formën më të mirë, për të cilën ka nevojë edhe Kombëtarja jonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




