Gazeta Si – Një partneritet italo-shqiptar që kishte disa kohë që vazhdonte dhe që mundi të menaxhonte shitjen e drogës në të gjithë zonën e Legnanese-s dhe më gjerë në Itali, duke përdorur gjithashtu dy apartamente për të fshehur lëndën narkotike.
Baza e grupit vepronte dhe kryente takimet në restorantin e motrës së bosit të organizatës, një shqiptari 38 vjeç.
Në përfundim të një hetimi të nisur në shtator 2020, policia italiane arriti të godiste grupin kriminal në provincat e Milanos, Monza-Brianza dhe Varezes, duke çuar në arrestimin e gjashtë personave, tre italianë dhe tre shqiptarë dhe sekuestrimin e 16 kilogramëve kokainë.
Të arrestuarit akuzohen në mënyra të ndryshme për trafik dhe tregtim të sasive të mëdha të drogës. Tre italianët e arrestuar janë B.F., 29 vjeç nga Seregno, C.G., 51 vjeç, nga Legnano, M.P., 54 vjeç, gjithashtu nga Legnano.
Ndërsa 3 shqiptarët janë K.F., 46 vjeç, M.K., 33 dhe M.A. 31 vjeç. Dy shqiptarë të tjerë janë në arrati, mes tyre edhe njeriu që mendohet se është kreu i organizatës, një 38-vjeçar dhe bashkëkombësi i tij bashkëpunëtor, 46-vjeçar.
Grupi kriminal ishte i organizuar mirë, me drejtimin që iu besua një shqiptari, i cili, duke ndjekur protokolle operacionale të testuara mirë dhe duke organizuar takime të përditshme me anëtarët, gëzonte burime të pasura e të sigurta furnizimi, ku mund të shpërndante sasi të konsiderueshme lëndë narkotike në një periudhë të shkurtër kohe.
Në varësinë e “kapos” shqiptar, qëndronte një shtetas italian nga Legnano me kompetenca në sektorin ekonomik e që kishte konsultuar grupin të investonte në një sipërmarrje fiktive për të justifikuar të ardhurat që vinin nga trafiku i kokainës.
Aktiviteti investigativ ka dokumentuar 4000 raste shitje doza kokainë, duke çuar në sekuestrimin e 16 kg kokainë, 150 mijë euro në disa llogari bankare, 1 automjet luksoz me vlerë të lartë ekonomike dhe 1 orë dore e markës ROLEX.
Baza operative e grupit ishte padyshim e veçantë, restoranti “Venere” në San Giorgio Legnano, një vend në dispozicion të motrës së të dyshuarit kryesor, 38-vjeçarit shqiptar, tashmë në arrati.
Në restorant, i vlerësuar për gatimet e tij me mish dhe peshk, organizatorët kryesorë takoheshin për të vendosur mbi strategjitë dhe për të rënë dakord për procedurat e funksionimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.