Po të mos ishte koha shtesë, Berat Gjimshiti dhe Keidi Bare, dy nga titullarët e Kombëtares, do të ishin duke festuar tani dy fitore të mëdha në kampionatet e tyre, përkatësisht ndaj Juventusit dhe Barcelonës.
Atalanta e Gjimshitit barazoi 1-1 me Juventusin. Bergamaskët kryesonin me golin e Malinovskit deri në minutën e parë shtesë, kur Danilo shpëtoi Juventusin, duke e mbajtur në vend të 4-t. Ishte një ndeshje me polemika për disa vendime të dyshimta të arbitrit në favor të skuadrës së Alegrit.
Atalanta pretendoi në një rast për penallti, pas prekjes së topit me dorë nga De Ligt në zonë. Gjimshiti, i cili luajti 90 minuta, u ndëshkua me karton të verdhë dhe u vlerësua me notën 6 nga shtypi sportiv italian.
Pranë një fitoreje të madhe ishte edhe Keidi Bare. Espanjoli i tij udhëhiqte 2-1 derbin me Barcelonën, por në minutën e 6-të shtesë De Jong barazoi për katalanasit. Ishte një ndeshje e tensionuar, ku nuk munguan kartonët e kuq, nga një për secilën skuadër. Bare e nisi ndeshje si titullar dhe u zëvendësua në pjesën e dytë, pasi kishte marrë një karton të verdhë.
Nga lojtarët e tjerë të Kombëtares, titullar ishte edhe Myrto Uzuni. Granada e tij u mund 2-0 nga Real Sociedadi, ndërsa lojtari beratas u zëvendësua në pjesën e dytë. Në Itali, Marash Kumbulla luajti 90 minuta në barazimin 2-2 të Romës në fushën e Sasuolos. Bajrami dhe Asllani ishin në fushë nga minuta e parë në barazimin 1-1 me Kaljarin, ku fantazisti kuqezi dha asistin e golit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




