Atalanta ka mundur 1-0 Jang Bojsin në ndeshjen e dytë të fazës në grupe dhe pas kësaj fitoreje ka marrë kreun e Grupit F, me 4 pikë. Një fitore plotësisht e merituar për bergamaskët, të cilët e konkretizuan supermacinë e tyre me golin e Pesinës në pjesën e dytë.
Mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, ishte titullar në këtë ndeshje dhe bëri një paraqitje shumë të mirë. Ai është vlerësuar me notën 6.5 nga specialistët. Më mirë se futbollisti i Kombëtares sonë në këtë ndeshje kanë bërë vetëm Demiral dhe Zapata, të vlerësuar me notën 7. Trajneri Gasperini e kurseu Gjimshitin në kampionat ndaj Interit, duke e aktivizuar në pjesën e dytë, kurse sot e hodhi në fushë nga minuta e parë.
Atalanta luan për të disatin sezon radhazi në Ligën e Kampionëve dhe Gjimshiti ka fituar përvojë, duke u ndeshur me më të mirët e kontinentit. Përvojë që ai e ka vënë edhe në shërbim të Kombëtares, duke qenë një nga elementët kyç të mbrojtjes. Ai është një nga lojtarët më stabël me ekipin e tij këtë sezon, ashtu si dhe Hysaj, ndërsa Kumbulla dhe Ismajli janë aktivizuar më pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




