Futboll

VIDEO/ Gara për kreun që u kthye në “masakër”, Spanja poshtëron Gjermaninë me 6 gola

Gjermania kaloi një mbrëmje të tmerrshme në Nations League. Spanja i jep një leksion të ashpër futbolli, pasi e mposhti me rezultatin 6-0 në “Estadio de La Cartuja” të Sevillas dhe i mori kreun e grupit 4 të Ligës A, duke fituar të drejtën për të synuar triumfin në Ligën e Kombeve. Goli i parë erdhi në minutën e 17-të me autor Moratan që kërceu më lartë nga të gjithë. Nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe goli i dytë me Ferran Torres , i cili tundi rrjetën pas një topi të kthyer nga shtylla.

Me pak ide dhe e dominuar nga kundërshtaret, skuadra gjermane nuk arriti të merrte kontrollin e mesfushës. Ishte Rodri që trefishoi shifrat pas një goditje me kokë brenda zonës së rreptësisë. Minutat deri në fund të pjesës së parë vazhduan të ishin një dialog mes spanjollëve dhe mbrojtjes gjermane. Edhe fraksioni i dytë rinisi me të njëjtin ritëm pasi Ferran Torres, që po kalon një formë të jashtëzakonshme shënoi edhe dy herë të tjera. Fillimisht në minutën e 55-të, pastaj edhe në minutën e 71-të, duke e bërë që Manuel Neuer të kapitullojë pas një gjuajtje të bukur jashtë zone. Goli i fundit i takimit u shënua në minutën e 87-të nga Oyarzabal.

Një ndeshje me një drejtim ku vendasit ishin në kontrollin e sfidës gjatë gjithë 90 minutave. Me këtë fitore Spanja ka 11 pikë, ndërsa Gjermania me shtatë pikë renditet në vendin e dytë. Nuk gabojnë as Franca me Portugalinë. Kampionët e botës ditën si ta merrnin takimin nën kontroll me Suedinë duke kaluar nga 0-1 në 4-2 për “Gjelat”. Megjithëse pa objektiv, Portugalia mposhti nënkampionët e botës Kroacinë me rezultatin 2-3, ku luzitanët vuajtën jo pak.

https://www.youtube.com/watch?v=EHyK0BS_xT8

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë