Euro 2020

Video/ Gafa, 8 gola dhe në fund feston Spanja, Kroacia dorëzohet në shtesë

Tetë gola dhe emocione pa fund në Kopenhagen, ku dukej sikur luhej në Zagreb, pasi dominonin tifozët kroatë, por në fund kanë festuar spanjollët, pas fitores 3-5. Morata dhe Ojarzabal shënuan golat vendimtarë të kualifikimit në shtesën e parë, pasi 90 minutat e kohës së rregullt u mbyllën 3-3. Në çerekfinale spanjllët ndeshen me fituesin Francë-Zvicër.

Spanja ia komplikoi gjithçka vetes pas 20 minutash lojë, kur Pderi ktheu prapa një top të fortë dhe portieri Unai Simon nuk mundi ta ndalte, duke u dhuruar kroatëve avantazhin. Por iberikët reaguan mirë dhe barazuan me Sarabian që në pjesën e parë.

Azpilikueta realizoi me kokë golin e avantazhit për djemtë e trajnerit Luis Enrike. Më pas “frenat” e lojës i mori në dorë Kroacia, që shtoi sulmet, ndërsa trajneri Daliç bëri lëvizjet e tij nga stoli. Por në një moment përgjumjeje të ballkanasve në mbrojtje, Spanja trefishoi me Ferran Tores. Këtu u duk se gjithçka u mbyll, por nuk ishin dakord kroatët, të cilët 5 minuta para fundit u rifutën në lojë me golin e Orsiç, të akorduar nga sensori i vijës së portës.

Në minutën e dytë shtesë Pasaliç barazoi shifrat në 3-3, duke gjuajtur saktë me kokë, pas një harkimi nga e majta. Dy skuadrat detyrohen të luajnë 30 minutat shtesë. Alvaro Morata kalon spanjollët në avantazh me një goditje të fuqishme në zonë, duke heshtur kritikët e shumtë ndaj tij. Pak minuta më pas Ojarzabal shënon edhe golin e 5-të afër portës së Livakoviç. Para këtyre dy golave, Kramariç humbi një rast të artë për të kaluar Kroacinë në avantazh, teksa u ndal Unai Simon.

Spanja kontrollon mirë lojën në minutat e shtesës së dytë, duke shfrytëzuar edhe lodhjen e kroatëve, të cilët shpenzuan shumë energji në këtë ndeshje. Pas 120 minutash feston Spanja, që e sheh veten në çerekfinale të Euro 2020, ku do të ndeshet me FFrancën ose Zvicrën dhe deri atëherë duhet të korrigjojë shumë gjëra, sidomos në mbrojtje.

Kroaci-Spanjë 3-5
Kroacia (4-2-3-1): Livakoviç, Juranoviç (Brekalo), Vida, Caleta-Car, Gvardiol, Brozoviç, Kovaçiç (Budimir), Vlasiç (Pasaliç), Modriç, Rebiç (Orsiç), Petkoviç (Kramariç). Trajner: Daliç
Spanja (4-3-3): Unai Simon, Azpilikueta, Laporte, Erik Garsia, Gaja (Zhordi Alba), Koke (Fabian Ruiz), Buskets (Rodri), Pedri, Ferran Torres (Ojarzabal), Morata, Sarabia (Dani Olmo). Trajner: Luis Enrike
Arbitër: Çakir (Turqi)
Shënues: Pedri 20' (autogol), Sarabia 38’, Azpilikueta, Ferran Torres 77’, Orsiç 85’, Pascaliç 90+2’, Morata 100’, Ojarzabal 103’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë