Futboll

Video/ Futboll i një tjetër planeti, Klop i përgjigjet dy herë Guardiolës

Gazeta Si - Gola, spektakël dhe ekuilibër, që mbetet edhe në garën e titullit kampion në Premier Ligë: sfida mes Mançester Sitit dhe Liverpulit ka përfunduar në barazim, 2-2. Guardiola është 1 pikë para Klopit, por titulli është plotësisht i hapur për 7 ndeshjet e mbetura.

Në ‘Etihad Stadium’ është luajtur futboll i një tjetër planeti, ajka e sportit më popullor në botë, ritëm shumë i lartë, pa asnjë sekondë ndërprerje. Një start piroteknik i ndeshjes, me Sitin që kalon në avantazh pas vetëm 5 minutash. Një gjuajtje nga jashtë zonës e De Bryjne devijohet nga Matip dhe 1-0.

Nuk kanë kohë të festojnë ‘qytetarët’, sepse Liverpuli barazon me Diogo Jotën, që mposht Edersonin nga brenda zonës. Dy shkëndija që ndezin një ndeshje shumë të shpejtë dhe shumë të fortë fizikisht. Ederson rrezikon gafën, teksa gabon kontrollin e topit me këmbë dhe pastaj e heq atë mbi linjën e prtës. De Brujne shkon afër dopietës, më pas rrezikon Kanselo.

Janë provat gjenerale për golin e Sitit, që vjen në minutën e 36-të nga Gabriel Jesus. Braziliani, në pozicion të rregullt, shfaqet papritur pas shpinës së mbrojtjes së Liverpulit dhe tund rrjetën, duke vepruar më shpejt se Alison.

Edhe pjesa e dytë ka një fillim me gol. Kalojnë 45 sekonda dhe Manè rikthen baraspeshën, pas një asisti të Salah. Mançester Siti reagon pas minutës së 60-të, kur Van Dijk ndal një gjuajtje të Gabriel Jesus me Alison të mundur. Siti shënon me Sterling, por VAR e anulon golin për pozicion jashtë loje. Në fund edhe dy raste të mira për Mahrez: në të parin e ndal shtylla nga një goditje dënimi, kurse në të dytin gabon përballë Alison.

Tani të dyja skuadrat e kalojnë vëmendjen te çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, pastaj sërish një sfidë direkt mes tyre për gjysmëfinalen e e FA Cup.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë