Gazeta Si – Liverpul-Real Madrid do të jetë finalja e Ligës së Kampionëve më 28 maj në Paris. Madrilenët e Ançelotit kanë prishur ëndrrat e Guardiolës, duke fituar 3-1 pas kohës shtesë ndaj Mançester Sitit (ndeshja e parë 4-3 për Sitin). Një kualifikim drithërues, që ka edhe fatin brenda, por Reali tregoi se është i pavdekshëm dhe një ekspert Championsi. “Qytetarët” e humbën finalen në 2 minuta, pasi kryesonin 0-1 deri në minutën e 89-të.

Në fushën e “Santiago Bernabeut” është shpalosur edhe flamuri shqiptar. Një tifoz shqiptar u ka shpëtuar rojeve të sigurisë dhe ka vrapuar në tapetin e gjelbër për të takuar idhullin e tij, Karim Benzema, me flamurin kuqezi në dorë. Pas pak sekondash ai u shoqërua jashtë nga stjuardët e stadiumit. Flamuri shqiptar i ka sjellë fat sulmuesit francez, pasi më pas shënoi golin e kualifikimit.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me pak raste të rrezikshme në portat respektive. Karim Benzema nuk pati shënjestërn e duhur në dy raste, ndërsa Bernardo Silva dhe Foden u ndalën nga Kurtua. Pati edhe nervozizëm, çka solli ndëhskimin me karton të verdhë të Modriç dhe Laporte.
Në pjesën e dytë Reali u mundua të bënte diçka më shumë në sulm, por Vinicius humbi një rast të artë për të shënuar. Trajneri Karlo Ançeloti hodhi në fushë Rodrigon në vend të Kros, por golin e gjetën anglezët me Rijad Mahrez, pas një pasimi të Bernardo Silvës. Algjeriani goditi fort me të majtën në pozicion diagonal dhe tundi rrjetën e madrilenëve.
Kur u duk gjithçka e përfunduar, Reali tregoi se nuk dorëzohet kurrë. Rodrigo shënoi dy gola për dy minuta, duke e çuar ndeshjen në shtesë. Ai barazoi shifrat nga afër portës, pas një sponde të Benzema dhe një minutë më pas devijoi saktë me kokë topin e krosuar nga Karvahal. “Bernabeu” në delir, kurse Guardiola nuk u beson syve. Dhe në këtë moment në fushë u fut në fushë tifozi me flamurin shqiptar.
Vetëm pak minuta pas fillimit të shtesave, Real Madrid fitoi një penallti me Benzema, i cili nuk mund ta shpërdoronte dhe 3-1. Tani radhën e ka finalja me Liverpulin, që sjell kujtime për të dyja skuadrat, sidomos për Mohamed Salah.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




