Futboll

Video/ Fitore pokeristike për Vllazninë dhe Kukësin, kampionët në kolaps

Vllaznia dhe Kukësi i kanë fituar me rezultate të thella ndeshjet e javës së 20-të të Superiores, përkatësisht ndaj Teutës dhe Kastriotit.

Vllaznia mundi 4-2 kampionët në fuqi të Teutës në “Loro Boriçi”. Pjesa e parë ishte spektakolare, me 5 gola të shënuar. Liridon Latifi realizoi pa u mbushur ende minuta e parë e lojës për shkodranët, të cilët dyfishuan më pas me mbrojtësin Diagne. Përsëri Latifi dhe 3-0, por Teuta shkurtoi në 3-2 pa u mbyllur pjesa e parë, me gola të Hebajt dhe Lorenco Vilës.

Në pjesën e dytë Jonuzi e çoi rezultatin në 4-2, duke ‘vulosur’ fitoren e Vllaznisë, që mban vendin e 4-t, me 33 pikë. Teuta kampione në fuqi mbetet në kolaps, një skuadër që pëson gola me shumicë dhe që vuan për të marrë pikë.

Po 4 gola shënoi edhe Kukësi ndaj Kastriotit, por ndryshe nga shkodranët, nuk pësoi asnjë. Glogorov, Gjelbërim Taipi, Basha dhe Bahtiri janë autorët e golave për skuadrën verilindore. Kukësi barazon në kuotën e 37 pikëve Laçin e vendit të dytë, që ndeshet me Dinamon të hënën, kur luhen edhe ndeshjet Skënderbeu-Partizani dhe Tirana-Egnatia.

Superiorja kryesohet nga Tirana me 43 pikë, e ndjekur nga Laçi dhe Kukësi me nga 37 pikë.

Abissnet Superiore, java e 20-të
Sot
Vllaznia-Teuta 4-2
Kukësi-Kastrioti 4-0
Të hënën
Dinamo-Laçi
Skënderbeu-Partizani
Tirana-Egnatia


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë