Futboll

Video/ Fantastik Armando Broja, i shënon edhe Totenhemit të Kontes

Gazeta Si – Armando Broja është abonuar tashmë me golin në Premier Ligë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shënuar edhe sot në ndeshjen ndaj Totenhemit, që përfundoi me fitoren e Southemptonit, 2-3.

Broja barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 23-te, teksa ndoqi me kujdes një aksion të gjatë dhe devijoi saktë topin brenda zonës me një kthesë të bukur. Më parë Totenhemi kishte kaluar në avantazh, falë një autogoli të Bednarek. Pas golit të barazimit, Broja humbi edhe një rast ideal përballë Loris, duke gjuajtur jashtë. Totenhemi kaloi sërish në avantazh, por Southemptoni përmbysi gjithçka në 2-3.

Pati edhe polemika pas golit të dytë të Totenhemit, që erdhi pas një faulli ndaj Brojës, por loja vazhdoi. Sulmuesi shqiptar u zëvendësua në minutën e fundit të ndeshjes. Është një moment magjik për lojtarin 20-vjeçar të Kombëtares, i cili po tregon aftësitë e tij prej golashënuesi, edhe pse në moshë shumë të re. Me këtë ecuri Broja po rrit edhe më shumë kreditet për të luajtur për Çelsin sezonin e ardhshëm.

Ky ishte goli i 6-të në kampionat për futbollistin kuqezi, i cili për më tepër vinte pas një dëmtimi nga ndeshja e fundit dhe ishte në dyshim, nëse do luante titullar apo jo ndaj Totenhemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë