Gazeta Si - Qindra anëtarë të familjeve të atyre muxhahedinëve që aktualisht ndodhen në kampin e Mojahedin-e Khalq (MEK) në Manzë të Durrësit, janë mbledhur në Teheran përpara Ambasadës së Turqisë (seksioni që kujdeset për interesat diplomatike të Shqipërisë në Iran), për të vlerësuar vendimin e policisë shqiptare për kontrollin e banorëve të kampit.
Pas tubimit, ata, përmes një deklarate, u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare të mbyllin “kampin mesjetar” të muxhahedinëve në Durrës.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat pro qeverisë iraniane, të cilat e cilësojnë veprimin e policisë shqiptare si “akt të përgjegjshëm” ndaj “grupit terrorist”.
Në tubimin që u mbajt këtë të të premte, njerëzit mbanin në duar flamuj shqiptarë dhe parrulla që kërkonin nga qeveria shqiptare t'i lejonte ata të vizitonin vendin për të ndjekur situatën e familjarëve të tyre.
Tubimi u organizua nga "Shoqata për shpëtimin e viktimave të dhunës". Duke brohoritur me parulla "Liria e robërve është e drejta jonë absolute" dhe "Vdekje Rajavit", pjesëmarrësit kërkuan nga autoritetet e qeverisë shqiptare të veprojnë për largimin e njerëzve të tyre.
Më 20 qershor, përleshje të ashpra ndodhën mes muxhahedinëve të MEK-ut dhe policisë shqiptare, teksa policia inspektonte bazën e tyre në Manzë, pranë Durrësit me një vendim gjykate të Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë operacionit, nga policia shqiptare u sekuestruan kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike pas indikacioneve mbi operacione të dyshuara kibernetike që vinin nga baza në Manzë kundër institucioneve të huaja.
Gjithashtu të enjten, policia shqiptare u vendos edhe një herë në kampin e MEK-ut për të kontrolluar hyrje-daljet e banorëve apo personave të tjerë që kishin akses.
“Në një zhvillim të ngjashëm, policia franceze njoftoi pak ditë më parë se MEK nuk lejohet të mbajë mbledhjen e tij vjetore në Paris, që ishte një goditje tjetër për grupin terrorist në javët e fundit. Mbledhja mbahej më 20 qershor, çdo vit që nga 2008”, - shkruan agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, “IRNA”.
Në fund të tubimit, familjet e njerëzve në kampin e MEK-ut, lëshuan një deklaratë, duke i kërkuar qeverisë shqiptare të përdorë të gjitha mjetet e saj për të mbyllur "kampin mesjetar" dhe për t'u dhënë anëtarëve të tij një jetë të lirë larg dominimit të drejtuesve të tij.
Më shumë se 17,000 njerëz kanë rënë viktima të grupit terrorist, thonë zyrtarët iranianë të regjimit të Ajatollahëve. Grupi i muxhahedinëve u dëbua nga Iraku në vitin 2016 dhe u rivendos në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.