Gazeta Si – Tre punonjës të Njësisë Administrative Ostren dhe të Bashkisë Bulqizë, janë arrestuar, pasi shpërdoruan detyrën për të pajisur qytetarët me dokumente false për vendbanimin, me qëllim që ata të përfitonin pasaporta bullgare.
Sipas policisë bëhet fjalë për administratorin e Njësisë Administrative Ostren, specialistin e Shërbimit Social, në këtë njësi administrative dhe sekretarin e Këshillit Bashkiak, në bashkinë Bulqizë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumente të Gjendjes Civile, për të pajisur qytetarë të ndryshëm, me vërtetime se banonin në njësinë administrative Ostren, me qëllim regjistrimin në shoqatën “Golloborda” dhe përfitimin e pasaportave bullgare.
Kështu, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan operacionin policor të koduar “Pasaporta”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i udhrave për ndalimin e shtetasve:


-L. M., 62 vjeç, banues në Ostren, me detyrë administrator i njësisë administrative Ostren;
-A. L., 33 vjeç, banues në Ostren, me detyrë specialist i Shërbimit Social, në njësinë administrative Ostren;
-F. B., 61 vjeç, banues në Trebisht, me detyrë sekretar i Këshillit Bashkiak, në bashkinë Bulqizë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




