Futboll

Video/ Eurogol për “Top të Artë” nga Levandovski, kualifikohet Mançester Junajtid

Në xhiron e parafundit të ndeshjeve në grup, Mançester Junajtid ka fituar 0-2 në fushën e Vilarrealit dhe është kualifikuar për në fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve. Ndeshja u vendos nga golat e Kristiano Ronaldos dhe Sanços.

Periudha post Solskjaer e Mançester Junajtid ka nisur me realizimin e një objektivi të rëndësishëm, kualifikimit në Champions. Me Kerrik debutues në stol, anglezët mundën Vilarrealin rival, por ndeshja nisi keq për ta. De Gea ishte shpëtimtar në disa raste, duke shmangur gola të sigurt.

Rasti i parë për Mançesterin u shënua në minutën e 71-të, kur Ruli devijoi gjuajtjen e Sanços. Shtatë minuta më pas Kristiano Ronaldo ndëshkoi spanjollët dhe në minutën e fundit Sanço mbylli llogaritë, pas një asisti të Bruno Fernandes.

Bajern Mynih nuk ka toleruar aspak në Kiev, ku ka mundur Dinamon 1-2. Në një terren të mbuluar nga bora, bavarezët kanë regjistruar fitoren e 5-të në po kaq ndeshje. Ata u imponuan ndaj ukrainasve që në fillim me një kryevepër të të zakonshmit Robert Levandovski, i cili mposhti portierin me një roveshiatë të bukur.

Nojer rrezikoi t’u dhuronte golin e parazimit vendësve, duke lejuar që një top i kthyer nga Goretzka të përplasej në shtyllë. Para fundit të pjesës së parë Bajerni dyfishoi me Koman, ndërsa në pjesën e dytë Dinamo shkurtoi diferencën me anë të Garmash, i cili nuk gaboi përballë Nojerit. Bajerni vazhdon me pikë të plota pas 5 ndeshjesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë