Futboll

(Video) ‘El Classico’, ndeshja që vazhdon edhe pas 90 minutave…

Nga Gazeta Si- El Classico, përveçse ndeshja më e madhe dhe më e ndjekur në botë, jo vetëm në Spanjë, është edhe përballja që prodhon më tepër polemika.

Nuk kishte si të shpëtonte ajo e mbrëmjes së djeshme ku Reali i Madridit arriti të fitojë në shtesë, duke përmbysur çdo herë avantazhin që arrinin të krijonin katalanasit.

Pas golit të Christensen në daljen e gabuar të portierin Lunin që në minutën e 6-të, Vinicius në minutën e 18-ë barazoi me penallti.

Në pjesën e dytë Barcelona kalon sërish në avantazh, këtë herë falë Fermin Lopez në pjesën e dytë, por shumë shpejt Vaskez barazoi në 2-2 dhe në mbyllje të takimit Jude Bellingham, i shndërruar në lider edhe pse vetëm 20 vjeç, i dha fitoren që çoi në 11 pikë diferencën mes Realit të Madridit, kryesues të La Ligës dhe Barcelonës, 6 javë nga fundi i kampionatit.

Reagimet e trajnerëve

Në konferencë për shtyp pas takimit, trajneri i katalanasve Xavi Hernandez e quan një turp golin që nuk u konsiderua i tillë nga arbitri dhe VAR-I, në favor të ekipit të tij.

“Ata mund të censurojnë por pamjet janë atje. I thashë arbitrit në fillim që të mos bëhej protagonist dhe të mos ndikonte në ndeshjen, por nuk ndodhi kështu dhe është turp,” deklaroi trajneri i Barcelonës pas ndeshjes.

Ndërkohë që Anceloti mundohet të mos komentojë deklaratat e homologut të tij.

“Nuk dua të flas për mendimet e Xavit, secili është i lirë të thotë cfarë mendon,” i përgjigjet gazetarëve Anceloti në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Me 11 pikë diferencë, çështja e titullit në Spanjë kur kanë mbetur edhe 6 javë duket tashmë e mbyllur.

Përse i mungon kampionatit spanjol “Goal Line Technology”

Që të fitojë Reali i Madridit përballë Barcelonës në këtë sezon dhe duke krahasuar gjendjen dhe forcën aktuale të të dyja skuadrave, nuk është dicka e rrallë, por cfarë ndodhi realisht në atë episod kaq shumë të diskutuar.

Një devijim i Jamal për 2-1 ndaj Realit në një top që nuk dukej i sigurt nëse e kishte kaluar vijën apo jo, pasi u kontrollua edhe nga sistemi VAR, u konsiderua si jo gol, pavarësisht se nga dy këndet e para në televizor dukej si gol.

Tingëllon e pabesueshme, por La Liga është i vetmi kampionat, nga të mëdhenjtë, që nuk e ka teknologjinë e golit të vijës fatale, të quajtur “Goal Line Technology”. Për këtë arsye u përdor sistemi VAR edhe në këtë rast. Gjithsesi nëse sheh imazhet nuk sqarohet ky dyshimin, episodi mbetet i diskutueshëm dhe sigurisht që do të shkaktojë diskutim edhe në vazhdim.

Zbatimi i teknologjisë do t'i kushtonte La Ligës 4 milionë euro në sezon, dy milionë për La Ligën dhe dy të tjera për Ligën e Dytë. Kjo teknologji e promovuar nga FIFA rreth 10 vite më parë tregon trajektoren e topit dhe nëse kalon vijën fatale njofton arbitrin në orën e tij, nëse është gol apo jo.

Premier League ishte divizioni i parë europian që zbatoi teknologjinë e vijës së portës në vitin 2014, frymëzuar nga goditja e Frank Lampard kundër Gjermanisë në Kupën e Botës 2010. Bundesliga, Ligue 1, Serie A dhe Eredivisie në Holandë, shpejt ndoqën rrugën e ligës angleze dhe e miratuan atë deri në vitin 2015.

Por vendimi për të mos e konsideruar gol këtë ndërhyrje ka patur padyshim edhe baza të shpjegimit teknik, edhe pse nga shtëpia të gjithë e panë atë top më tepër ta kishte kaluar vijën fatale. Nga pamjet filmike të disponueshme apo edhe fotot që qarkulluan për atë rast kaq të diskutueshëm ingranuan shumë specialistë të merren me të. Kështu Canal + në France aplikoi me fotografitë e disponueshme dhe imazhet e kamerave, për t’i konvertuar në një grafikë 3 dimensionale dhe për të rikrijuar episodin, duke sjellë një verifikim dhe shpjegim më sqarues për të gjithë.

Canal + krijon grafikat e golit fantazëm në “Bernabeu”.

Edhe sipas këtij shpjegimi 3D duke se konfirmohet vendimi i marrë nga gjyqtari kryesorë dhe asistentët e tij të sistemit VAR që topi nuk e ka kaluar plotësisht vijën e portës dhe si rrjedhojë nuk mund të konsiderohet gol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë