Janë luajtur sot dy ndeshjet e para të javës së 5-të të Abissnet Superiores. Laçi ka pësuar një tjetër disfatë dhe mbetet në vend të fundit, ndërsa në stadiumin e Kamzës Kastrioti ka mundur Skënderbeun, duke e parakaluar në renditje.
Laçi nuk po arrin të dalë dot nga tuneli i errët ku është futur që në fillim të kampionatit. Sot është mundur edhe në fushën e tij nga Egnatia. Një goditje shumë e fortë për kurbinasit, të cilët duhet të kërkojnë një trajner të ri, pasi malazesi Dejan Vukiçeviç duke e se e ka mbyllur këtu aventurën shqiptare. Pritet vetëm zyrtarizimi i largimit të tij dhe kjo është lëvizja e parë në stola për këtë kampionat.
Laçi ka vetëm 2 pikë pas 5 javësh, ndërsa Egnatia e trajnerit Gugash Magani po befason në dy javët e fundit, ku ka arritur 2 fitore dhe është ngjitur në kuotën e 8 pikëve. Ndeshjen në Laç e vendosi goli i brazilianit Pedro, shënuesi më i mirë i rrogozhinasve.
Ka marrë fitoren e parë në kampionat Kastrioti, që ka mundur 2-0 Skënderbeun. Basha zhbllokoi shifrat në zhvillimet e një goditjeje dënimi të krutanëve, kurse Rami dyfishoi pak para fundit të ndeshjes. Një fitore me vlera për Kastriotin, që i shkëputet fundit të tabelës, duke lënë pas pikërisht Skënderbeun, Laçin dhe Partizanin, që ka një ndeshje më pak.
Java e 5-të e kampionatit është ndarë në tri ditë. Ajo vazhdon nesër me sfidat Partizani-Kukësi dhe Teuta-Tirana, kurse të hënën luhet ndeshja e fundit, Vllaznia-Dinamo. Renditja kryesohet nga Tirana, që ka 8 pikë pas 4 javësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




