Kryeministri Edi Rama publikoi pamjet dhe pjesë të bisedës së takimit me banorët e prekur nga prishjet në kantierin e lagjes së re “5 maji”, zhvilluar në ambientet e Kuvendit.
“Shiko që të jemi të qartë bashkë se të dëgjova me shumë vëmendje. Ju keni ndërtuar pa leje pra keni zënë tokën e dikujt tjetër. Ashtu ishte koha, unë kur isha kryetar bashkie kam qenë i pari që kam thënë që kjo punë nuk mund të zgjidhet me prishje por duhet zgjidhur me legalizim dhe u bë procesi. Po ashtu është thënë qartë dhe në ligj që legalizohet çdo gjë që nuk pengon zhvillimin. Se nuk mund të legalizohet edhe aty ky hapet rruga e kalon kanali...”, iu drejtua Rama, nënë Lizës njeriut që është kthyer “simboli” identifikues i protestës së banorëve të 5 majit.
“Pra ju jeni pa leje, shtëpia juaj ku jeni nuk legalizohet se është e palegalizueshme por ne s’kemi thënë asnjë moment që ju do dilni jashtë e shkoni ku të doni. Kemi thënë që dhe pse jeni pa leje sidoqoftë, keni bërë një investim gjithë ato vite dhe ne në rrugë nuk u lëmë, që ditën e parë e kemi thënë. Aty ne do bëjmë lagje të re që njerëzit të jetojnë si njerëz e jo si kafshë mes plehrave se për ne gjëja më e rëndësishme janë fëmijët, që të rriten në një lagje që ka shkollën çerdhen afër, parkun, të moshuarit ambulancën afër. Ne s’do bëjmë aty s’do ju prishim ju banesat që t’ja japim”, tha ai.
Nënë Liza nuk ishte e vetmja në takim banesa e së cilës është shpallur e palegalizueshme.
“Mua më ka ardh përgjigja që s’ka asgjë, po ta shpreh që jam pa letra. Mund të bëj pyetje?”
“Jo në fund, pasi të mbaroj se u bënë tre minuta e po të kërkoj fjalën...”, replikoi Rama
“Se mbaroni e ikni se kështu na e kanë bërë dhe të tjerët. Imagjino kam thënë i jap dhe votën”, reagoi banorja
“O zonjë të lutem s’jam për votën këtu, unë jam se ju jeni njësoj për mua të gjithë. Si qofshi pa votë si majtas si e paçi kokën drejt…”
“E di. S’duam më gënjeshtra”, i përgjigjet banorja
“A ka mundësi të më dëgjosh? Se qenke gati për tu bërë deputete e partisë që paske votuar”
“Jo jo nuk e du me atë parti”
“A nuk e do më, një hap para”, përgjigjet sërish Rama.
“Unë nuk kërkoj asgjë dua zhvillimin e civilizimin por dua kontratën, dua kontratën”, tha ajo.
“Ti do marrësh dëmshpërblimin”, i përgjigjet Rama
Ndërhyn nënë Liza: “Ka mbaru Shqipëria”
“Ti nuk i dhuron shtëpi shtetit, shteti të dhuron ty se je ndërtim pa leje ke zënë tokën aty”, replikoi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.